Programi i Ndërmjetësimit të lidhur me Gjykatën

Zbatuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë në vitet 2011-2013.
Mbështetur nga Programi për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST) që implementohet nga Chemonics International, dhe financohet nga USAID.

Ky program ka qenë vazhdim i investimit të bërë në vitet 2008-2010, kur FZKPM, bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit me IFC-në, Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, inicioni projektin pilot "Zgjidhja e Konflikteve Tregtare me Ndërmjetësim në Gjykatën e Durrësit".

Me mbështetjen e JuST ky program u zbatohua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Korçë, pranë të cilave funksionuan qendrat e ndërmjetësimit, të cilat trajtonin dhe zgjidhin me ndërmjetësim kryesisht çështje tregtare dhe familjare, por jo vetëm, të referuara nga gjyqtarët, si dhe burime të tjera (p.sh zyrat avokatore, shërbimi i provës, etj).

Fushat kryesore të programit:

- Advokimi, rritja së shkallës së ndërgjegjësimit lidhur me përdorimin e shërbimit të ndërmjetësimit në çështjet civile, tregtare dhe familjar dhe rritja e shkallës së përdorimit të kësaj metode alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Rreth 190 pjesëmarrës, gjyqtarë, juristë, avokatë, noterë, aktivistë të shoqërisë civile, morën pjesë në seminare informuese për avantazhet e ndërmjetësimit dhe mundësitë që krijon ligji i ri për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Takimet u organizuan gjatë periudhës korrik-tetor 2011.

- Rritja e kapaciteteve në fushën e ndërmjetësimit si për ndërmjetësit ekzistues dhe të rinj: rreth 15 ndërmjetës ekzistues përfunduan trajnim treditor, dhe 40 persona të tjerë u certifikuan me përfundimin e një kursi 8-ditor të nivelit bazik dhe të avancuar, te drejtuar nga ekspertë vendas dhe të huaj.

- Trajtimi i konflikteve tregtare dhe familjare me anë të alternativës së ndërmjetësimit. Gjatë periudhës Qershor 2011- Shtator 2013 Qendrat e Ndërmjetësimit pranë Gjykatave të Durrësit dhe Korçës kanë pranuar 491 raste civile, familjare,  tregtare, dhe penale. Nga këto 369 raste u zgjidhën me sukses.

Ndërmjetësimi ka qenë i suksesshëm në 369 raste ose në 75 % të totalit të rasteve të referuara. Ndërsa në 15% të rasteve palët i janë kthyer procedimit gjyqësor, pa arritur të gjejnë një zgjidhje të përbashkët me mirëkuptim.

- Promovimi përmes medias së shkruar dhe elektronike. Artikuj të ndryshëm janë botuar në shtypin e shkruar për alternativën e ndërmjetësimit, avantazhet, si dhe rezultatet e projektit. Ndërkohë që në median elektronike lokale në Durrës dhe Korçë janë transmetuar biseda në studio rreth ndërmjetësimit.