NDËRMJETËSIMI MES BASHKËMOSHATARËVE DHE DIALOGU RESTAURUES - si komponent i programit “FORCIMI I SISTEMIT TË DREJTËSISË PËR TË MITURIT NË SHQIPËRI”.

Mbështetur nga Organizata "Save the Children"

 
Programi “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë për të Mitur në Shqipëri”, 2013-2015, ka si qëllim fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve në kontakt me ligjin për të ndihmuar në ri-integrimin e tyre në shoqëri përmes programeve parandaluese, rehabilituese, sociale dhe ligjore.

Komponentët kryesorë në të cilët programi fokusohet janë ofrimi i shërbimeve për fëmijët dhe të rinjtë në sistemin e drejtësisë, lobimi për të drejtat e fëmijëve në kontakt me ligjin në Shqipëri si dhe veprimtaritë në mjediset shkollore me qëllim parandalimin e konfliktualitetit.

Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” FZKPM është një nga organizatat partnere në implementimin e programit “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë për të Miturit në Shqipëri” mbështetur nga Save the Children.
Në kuadër të këtij programi, gjatë vitit 2013 dhe në vazhdim, FZKPM ka zbatuar projektin “Ndërmjetësimi mes bashkëmoshatarëve dhe dialogu restaurues në mjediset shkollore”.

Projekti, i cili ka si qëllim promovimin e alternativës së ndërmjetësimit dhe dialogut restaurues në zgjidhjen e konflikteve në mjediset shkollore, u zbatua në gjashtëmbëdhjetë shkolla nëntëvjeçare dhe të mesme në tetë rrethe, përkatësisht: Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan, Korçë, Shkodër dhe Malësi e Madhe.

Reduktimi i sjelljeve të dhunshme përmes ngritjes së grupeve të ndërmjetësimit të nxënëseve, rritja e motivimit të tyre për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për mosmarrëveshjet, krijimi i mjediseve shkollore sa më të sigurta dhe eksplorimi i mundësive për integrimin e moduleve të ndërmjetësimit dhe dialogut restaurues si pjesë të programeve ekstrakurrikulare shkollore, janë disa nga synimet e zbatimit të komponentit.

Ndërhyrjet strategjike të programit në fushën e ndërmjetësimit të konflikteve konsistojnë në:

- tryeza lobuese dhe advokuese në sistemin e edukimit (Ministria e Arsimit dhe Sporteve (MAS), Drejtoria Rajonale Arsimore Tiranë (DAR), Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA) dhe shkollat) lidhur me mundësinë e zhvillimit të programeve ekstrakurrikulare për ndërmjetësimin dhe dialogun restaurues në programet shkollore;

- ndërtimin e bashkëpunimit institucional me drejtoritë rajonale arsimore dhe shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme për të mundësuar njohjen dhe aplikimin e instrumenteve të ndërmjetësimit mes bashkëmoshatarëve dhe të dialogut restaurues në zgjidhjen e konflikteve në komunitetin e shkollave;

- ndërgjegjësim dhe rritje kapacitetesh të mësuesve, psikologëve në fushën e trajtimit dhe zgjidhjes të konflikteve.

- ngritjen e grupeve të ndërmjetësimit të nxënësve të cilët do të identifikojnë dhe menaxhojnë rastet e konflikteve në mjediset shkollore përmes instrumenteve të dialogut restauruese dhe ndërmjetësimit.

Arritje gjatë vitit 2014:

• Realizmi i tri tryezave konsultative me përfaqësues të MAS, UNICEF, SACP, DAR-Tiranë, IZHA, etj, për promovimin e zhvillimit të një strategjie gjithëpërfshirëse, për parandalimin dhe promovimin e strategjive efektive lidhur me parandalimin e konflikteve dhe dhunës në mjediset shkollore. 35 specialistë të edukimit diskutuan së bashku për zhvillimin e moduleve të ndërmjetësimit dhe dialogut restaurues në programet kurrikulare dhe ekstrakurrikulare shkollore, duke identifikuar hapësirat dhe mundësitë për integrimin e tyre.

• Organizimi i 208 veprimtari në fushën e dialogut restaurues dhe ndërmjetësimit me grupin e ndërmjetësve në shkolla, mësues, prindër, psikologë, dhe punonjës policie. 480 nxënës janë përfshirë në programin e trajnimit si ndërmjetës. Në secilën shkollë është ngritur grupi i ndërmjetësve nxënës, të cilët kanë zgjidhur 240 konflikte mes bashkëmoshatarësh.

• 38 mësues dhe psikologë janë të trajnuar në fushën e menaxhimit dhe zgjidhjes së konflikteve, te cilët se bashku me studentet e trajnuar ndihmojnë dhe ndikojnë pozitivisht në vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e projektit në të ardhmen.

• 33 punonjës policie kanë marrë pjesë dhe janë pjesë e programit për ndërmjetësimit dhe aplikimin e dialogut restaurues në shkolla.

• 16 kënde ndërmjetësimi shërbejnë për ekspozimin dhe promovimin e ndërmjetësimit mes bashkëmoshatarëve në komunitetin e shkollave.

• Përgatitja dhe publikimi në 350 kopje të manuali për mësuesit dhe fletëpalosje ndërgjegjësuese në fushën e ndërmjetësimit dhe dialogut restaurues.

• Realizimi i sondazhit në 16 shkolla nëntëvjeçare dhe të mesme, lidhur me nivelin e konfliktualitetit dhe sjelljeve të dhunshme. Qëllimi i sondazhit ishte mbledhja e të dhënave dhe analizimi i pikëpamjeve të 1000 nxënësve, mësuesve dhe drejtuesve lidhur me shkaqet e konflikteve, mënyrat e reagimeve në situata konfliktuale, etj.