Dita e Drejtësisë për të Mitur - Nënshkruhet Marrëveshja shumëpalëshe e bashkëpunimit ndër-institucional për zbatimin e drejtësisë miqësore për të miturit, Shkodër, 25 Maj 2022

Drejtues të institucioneve përgjegjëse dhe pjesëmarrëse në administrimin e drejtësisë penale për të mitur në rrethin gjyqësor Shkodër shprehën vullnetin për zbatimin e një drejtësie miqësore për fëmijët, duke nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi shumëpalëshe, me synim përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional dhe përmbushjen e përgjegjësive ligjore të përbashkëta në fushën e drejtësisë për të mitur.

Marrëveshja është fryt i një angazhimi të shprehur nga Bashkia Shkodër dhe institucionet e tjera dhe reflekton praktikat premtuese për bashkëveprim institucional. Për të përshëndetur nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje morën pjesë dhe përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë.

Nënshkrimi i marrëveshjes u pasua nga konkretizimi përmes lojës me role të zgjidhjes së konflikteve sipas qasjes së drejtësisë restauruese – një qasje që promovohet nga Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur. Nxënësit përçuan mesazhe të tolerancës, respektimit të dinjitetit, barazisë, solidaritetit, përgjegjësisë, dhe përdorimit të formave paqësore të menaxhimit të konflikteve mes të rinjve.

***

Aktiviteti u organizua në shkollën e mesme "Shejnaze Juka", si pjesë e projektit “Forcimi i qasjeve ndërdisiplinore në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në konflikt dhe kontakt me ligjin” zbatuar nga Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” dhe Qendra për Zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”, mbështetur nga UNICEF Shqipëri dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, si pjesë e Programit “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria”.