Manual SHËRBIMI I NDËRMJETËSIMIT DHE DREJTËSIA RESTAURUESE PËR TË MITURIT NË KONFLIKT ME LIGJIN - Për rastet e referuara nga policia



Ky manual botohet në kuadër të projektit “Institucionalizimi i Drejtësisë Restauruese dhe ndërmjetësimit Viktimë-Kundërvajtës për të Miturit në Shqipëri”, që financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga organizata Save the Children në partneritet me Fondacionin “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve”. Përgatitja e manualit u realizua në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. 
 
Manuali është një dokument që adreson çështje që lidhen me mënyrat alternative të trajtimit të konflikteve penale, përmes drejtësisë restauruese, ndërmjetësimit viktimë-kundërvajtës në mënyrë më specifike. Këto forma duhet të zbatohen në raste të atyre individëve të cilët kanë shkelur ligjin, por që rastet e tyre do të ishte më e përshtatshme të trajtoheshin përmes alternativave që i hapin rrugë rehabilitimit, si dhe paqes sociale, duke shmangur reagimet tradicionale krejtësisht ndëshkuese. Këto forma alternative që ndjekin paradigmën e ‘drejtësisë restauruese’ ofrojnë një sërë përfitimesh për palën e dëmtuar, palën që ka kryer veprën penale, si dhe komunitetin e mbarë shoqërinë.
Devijimi nga procedura e zakonshme penale është mënyra kryesore për t’u hapur rrugë zbatimit të këtyre formave alternative. Në këtë mënyrë, policia ka mundësi të prezantojë veten të lidhur ngushtë me pritshmërinë e qytetarëve dhe si ata duan që të jetë policia edhe në kuadrin e reformimit dhe transformimit të përafrohet me standardet e policimit në Bashkimin Evropian. ....