Cikël trajnimesh për ndërmjetës në bashkëpunim me Slynn Foundation – UK

Gjatë viteve 2011-2014, Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve”, në bashkëpunim me Fondacionin Slynn-UK, ka organizuar një sërë trajnimesh, si të nivelit bazë dhe të avancuar, në fushën e ndërmjetësimit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të fokusuar të rastet tregtare dhe familjare. Trajnimet janë drejtuar nga eksperti i njohur në fushën e ndërmjetësimit nga Mbretëria e Bashkuar, Z. Paul Randolph, dhe gjatë dy viteve të fundit dhe nga eksperti Spenser Hilliard.

Rreth 220 pjesëmarrës kanë marrë pjesë në këto trajnime, të cilat janë organizuar 2-3 herë në vit. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve janë licencuar më pas nga Komisioni i Licencimit të Ndërmjetësve pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Qëllimi i këtyre trajnimeve ka qenë rritja e aftësive profesionale të ndërmjetësve të rinj dhe atyre ekzistues në menaxhimin e rasteve përmes ndërmjetësimit.

Pjesëmarrësit janë njohur me përparësitë e ndërmjetësimit kundrejt zgjidhjeve gjyqësore; me parimet e ndërmjetësimit; rëndësinë e aspektit psikologjik në ndërmjetësim; aftësitë komunikuese dhe aftësitë ndërmjetësuese që duhet të zotërojë një ndërmjetës për të qenë i suksesshëm në ofrimin e shërbimit të ndërmjetësimit; si dhe fuqinë ligjore të marrëveshjes së ndërmjetësimit. 

Përveç anës teorike, trajnimet janë fokusuar në rritjen e aftësive ndërmjetësuese të personave të trajnuar përmes rasteve të simuluara të ndërmjetësimit, ku pjesëmarrësit janë përfshirë në rolin e ndërmjetësit, të palëve, avokatit, si dhe përmes demonstrimeve nga ana e ekspertëve. Gjatë trajnimeve janë dhënë dhe udhëzimet për përgatitjen e aktmarrëveshjes së ndërmjetësimit, duke i demonstruar me ushtrime praktike. 

Një tjetër aspekt i këtyre trajnimeve ka qenë dhe njohja me përvojën e Mbretërisë së Bashkuar në fushën e ndërmjetësimit, si dhe me Direktivën e Bashkimit Europian 2008/52/EC “Mbi disa aspekte të ndërmjetësimit në çështjet civile dhe tregtare”, më të cilën është është përafruar dhe ligji nr.10385 “Mbi ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Pjesëmarrësit i kanë vlerësuar shumë pozitivisht këto trajnime, si dhe nivelin e lartë të ekspertëve dhe janë shprehur për nevojën e vazhdimit të këtyre trajnimeve.

Gjatë periudhës Tetor-Nëntor 2014 Slynn Foundation organizoi kursin trajnues të avancuar 5 ditor, të ndarë në dy faza për përgatitjen e trajnerëve në fushën e zgjidhjes alternative të konflikteve përmes ndërmjetësimit. Në fund të kursit u certifikuan 10 ekspertë si trajnues në fushën e ndërmjetësimit.