Zëri i rinisë kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm

Projekti "Zëri i Rinisë kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm ", i mbështetur nga UNESCO, është duke u zbatuar gjatë vitit 2017 në partneritet nga Interactive Education and Resource Network – IMOR – Maqedoni dhe Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” – Shqipëri.

Objektivi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm nëpërmjet internetit me anë të pajisjes së të rinjve nga Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (Maqedonia) me kompetencat dhe shkathtësitë, me qëllim për të ndërtuar më tej urat e paqes dhe mirëkuptimit përmes aktiviteteve bashkëpunuese të bazuar në komunikimin përmes teknologjisë së informacionit.

Komponentë të projektit të zbatuar në qytetin e Elbasanit ishin dhe dy workshop-e, një workshop me aktivistë të rinj nga komunitetet fetare dhe një workshop me nxënës të shkollave të mesme dhe mësues. Aktivistët e rinj nga komunitetet fetare u përzgjodhën në bashkëpunim me udhëheqësit/liderët fetarë të komuniteteve përkatëse. Workshop-i me nxënës dhe mësues u realizua në shkollën e mesme "Luigj Gurakuqi".

Gjatë aktiviteteve të projektit të rinjtë u përfshinë në një proces komunikimi dhe diskutimi lidhur me tema të tilla si: si të përdorin internetin dhe rrjetet sociale në mënyrë të sigurtë dhe efektive; cilat janë kërcënimet në internet dhe si t'i njohin e t'i shmangin ato; si ta njohin radikalizmin; ekstremizmin në internet dhe ta raportojmë; të menduarit kritik/ndërtimi i dialogut përtej kufijve dhe kulturave; demonstrimi i mirëkuptimit dhe promovimi i tolerancës etj.

Në aktivitetet e projektit morën pjesë 197 pjesëmarrës, të rinj, mësues dhe prindër.

Gjatë  zbatimit të projektit të rinjtë nga shkolla dhe komuniteti si nga Shqipëria dhe Maqedonia komunikuan dhe pasqyruan kontributin e tyre në një faqe interneti të ngritur në funksion të projektit (Për më shumë shikoni linkun: noextremism).

Rreth 37 nxënës  dhe aktivistë të rinj nga shkolla “Luigj Gurakuqi” u bënë pjesë aktive e platformës bashkëpunuese online duke dhënë mendimet e tyre në lidhje me parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Diversiteti ndërkulturor dhe rrjetet sociale ishin tema kryesore që u  diskutuan mes të rinjve.

Nisur nga procesi i vlerësimit të projektit, ata e konsideronin si shumë të rëndësishëm informacionin e  përftuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin në takimet e përbashkëta.

Përdorimi në mënyrë të sigurtë dhe efektive i internetit dhe rrjeteve sociale për të parandaluar ekstremizmin/radikalizmin e dhunshëm në grupmoshat rinore është një fillim i mirë për ta. Pjesëmarrësit shprehën interesin e tyre për aktivitetet e bashkëpunimit online me të rinjtë nga Maqedonia.