Integrimi i të miturve në konflikt me ligjin përmes drejtësisë restauruese (vazhdim)

Dhjetor 2016 - Maj 2017
 
Ky projekt ishte vazhdim i bashkëpunimit midis Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës dhe Fondacionit "Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve" për promovimin dhe ofrimin e praktikave restauruese dhe ndërmjetësimit në rastet ku janë të përfshirë persona që janë në shërbim prove, veçanërisht të miturit.

Projekti u fokusuar në rritjen e ndërgjegjësimit dhe të kapaciteteve të punonjësve të shërbimit të provës në fushën e drejtësisë restauruese, referimin e rasteve të përshtatshme në shërbimin e ndërmjetësimit dhe zgjidhjen përmes praktikave restauruese dhe ndërmjetësimit.

Gjatë zbatimit të projektit (Dhjetor 2016 - Shkurt 2017) u organizuan dy trajnime dyditore për punonjës të shërbimit të provës, ku morën pjesë 34 punonjës të shërbimit të provës dhe disa studentë të programit Master në Administrimin e Drejtësisë.

Gjithashtu janë trajtuar përmes praktikave restauruese 133 raste, kryesisht ku janë të përfshirë të mitur dhe të rinj të grupmoshës 14-21 vjeç. 89% e rasteve u zgjidhën me sukses.
 
Përfundimi i projektit u pasua nga një tryezë e rrumbullakët, ku u prezantuan arritjet e projektit, si dhe u diskutua për sfidat dhe mënyrat për një bashkëpunimin institucional më të efektshëm për ofrimin e praktikave restauruese për të miturit në konflikt me ligjin.