INTEGRIMI I FËMIJËVE NË KONFLIKT ME LIGJIN PËRMES DREJTËSISË RESTAURUESE

Nëntor 2015 – Korrik 2016
 
Financuar nga UNICEF
 

Projekti kishte si qëllim kryesor promovimin dhe zbatimin e drejtësisë restauruese për fëmijët dhe të rinjtë e moshës 14-21 vjeç, që janë përfshirë në vepra penale.
 

Projekti u zbatua në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës.

 
Përmes projektit u organizohen aktivitete informuese dhe trajnuese për punonjës të policisë, shërbimit të provës dhe sistemit penitenciar për të miturit për të rritur ndërgjegjësimin e tyre për format alternative të trajtimit të të miturve në konflikt me ligjin.

 
Një komponent tjetër ishte ofrimi i shërbimit të ndërmjetësimit viktimë-autor për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis palëve si pasojë e kryerjes së një vepre penale, duke ndikuar në këtë mënyrë në parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit (hakmarrjeje të mundshme), kompensimin e dëmit, material ose moral, dhe normalizimin e marrëdhënieve midis palëve.

 
Gjatë periudhës Nëntor 2015 – Korrik 2016, 131 raste u referuan nga institucionet e sipërpërmendura në shërbimin e ndërmjetësimit, dhe 92% të rasteve u zgjidhën me sukses dhe palët arritën një marrëveshje.