Tryezë e rrumbullakët: “Përvojë nga bashkëpunimi ndërmjet Shërbimit të Provës dhe Shërbimit të Ndërmjetësimit - disa arritje, sfida dhe mundësi”

Tiranë, 03-02-2015 - Zgjidhja e mosmarrëveshjeve në mënyrë paqësore, përfshirë dhe të miturit që kanë kryer vepra penale, ndihmon në ri-integrimin e të dënuarve në mjedisin shoqëror, parandalon kryerjen e veprave të tjera penale, lehtëson ngarkesën e sistemit të drejtësisë dhe në përgjithësi nxit paqen në shoqëri.

Shkëmbimi i përvojës së suksesshme të bashkëpunimit ndërmjet Shërbimit të Provës dhe Shërbimit të Ndërmjetësimit në Shqipëri mblodhën në Hotel Tirana, ekspertë nga sistemi i drejtësisë, specialistë të Shërbimit të Provës, ndërmjetës, shoqëria civile dhe të tjerë për të diskutuar mbi sfidat e këtij procesi.

Që prej krijimit të Shërbimit të Provës në Shqipëri (në vitin 2009) është synuar që për të dënuarit që mbikëqyren nga Shërbimi i Provës, të nxitet ndërmjetësimi me personat që janë dëmtuar nga vepra penale që ata kanë kryer. Edhe pse këta të dënuar vuajnë një sanksion të dhënë nga gjykata, nuk janë të pakta rastet kur të dëmtuarit ende mbajnë mëri dhe mund të vijojnë konfliktin me keqbërësin e tyre, duke u bërë kështu shkas për acarimin e marrëdhënieve dhe kryerjen e veprave të mëtejshme penale. Përmes ndërmjetësimit, i dënuari ka mundësi të shprehë keqardhjen e tij ndaj të dëmtuarit, por edhe të ndërmarrë hapa për të rregulluar ose kompensuar dëmin që ka shkaktuar. Kjo bën që palët, nëpërmjet një shërbimi të pakushtueshëm ndërmjetësimi, shumë më të shpejtë në kohë se sa procedurat gjyqësore, të bien dakord me vullnetin e tyre për mënyrën si do ta zgjidhin mosmarrëveshjen që kanë dhe si do ta ndreqin dëmin e shkaktuar.

Gjatë vitit 2014, zyrat vendore të Shërbimit të Provës referuan 92 raste në shërbimin e ndërmjetësimit për t’u trajtuar përmes praktikave restauruese, nga të cilat 81 raste ose 88% të totalit u zgjidhën me sukses, ndërsa në 12% të rasteve palët, ose nuk pranuan të ishin pjesë e procesit të ndërmjetësimit, ose nuk arritën të gjejnë një zgjidhje. Përgjithësisht, rastet e trajtuara kishin të bënin me rrahje, plagosje, konflikte që vinin si pasojë e aksidenteve automobilistike, vjedhje të vogla, konflikte familjare, etj.

57% e personave të përfshirë në praktikat restauruese ishin të mitur dhe të rinj të grupmoshës 14-21 vjeç (45% të dënuar dhe 12% palë e dëmtuar). Standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, inkurajojnë dhe dëshmojnë se për rehabilitimin e të miturve të përfshirë në vepra penale, ndërmjetësimi si një formë e drejtësisë restauruese, është shumë më efikase se sa dënimi me burgim. Përmes kësaj metode, i mituri vihet përpara përgjegjësisë nga njëra anë, por edhe i jepet mundësia që të rehabilitohet, shkollohet dhe ri-integrohet në shkollën, familjen, shoqërinë ku jeton, me qëllim që të largohet nga sjellja jo-sociale dhe të riedukohet si një qytetar që i respekton ligjet si gjithë të tjerët.  

Gjatë zbatimit të kësaj faze të projektit me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe UNICEF-it, Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve” rriti edhe aftësitë e punonjësve të Shërbimit të Provës dhe ndërmjetësve. Kështu, 39 punonjës të Shërbimit të Provës dhe 20 ndërmjetës ndoqën trajnime dhe u njohën me filozofinë dhe parimet e drejtësisë restauruese, përvojën e vendeve të tjera në këtë fushë, kuadrin ligjor vendas dhe ndërkombëtar për ndërmjetësimin, parimet e ndërmjetësimit, si dhe mekanizmin e bashkëpunimit institucional midis shërbimit të provës dhe shërbimit të ndërmjetësimit.  

Takimi u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës, UNICEF-in dhe Fondacionin “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve”.